News: Pershendetje Peja1.com kthehet prap online pas nje pauze te shkurter , se shpejti me risi
October 17, 2018, 06:49:02 PM

* User

Welcome, Guest. Please login or register.

Login with username, password and session length

Reklamat

Forum



* Statistic


  • *Total Posts: 7721
  • *Total Topics: 6565
  • *Online Today: 24
  • *Most Online: 108
(January 03, 2012, 08:06:39 AM)
  • *Users: 0
  • *Guests: 12
  • *Total: 12

Author Topic: Nexhmije Pagarusha  (Read 8231 times)

0 Members and 1 Guest are viewing this topic.

Offline Beni

  • Administrator
  • Hero Member
  • *****
  • Posts: 1522
  • Karma: +0/-0
    • http://www.peja1.com
Nexhmije Pagarusha
« on: April 23, 2012, 06:33:16 AM »


Nexhmije Pagarusha, legjenda e gjallë e këngës shqiptare, u lind më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë. Babai i Nexhmijes Veseli, mësues, siç thotë Nexhmija, është më meritori që nuk e la këtë yll të shuhet, po na e dhuroi të gjithëve deri në shkallë krenarie.
Dikush e quajti Bilbili i Kosovës, dikush Mbretëresha e Këngës Shqipe, dikush tjetër Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, Madam Baterflaj, Fyti i Kristaltë, e të tjera, e të tjera.
Të gjitha këto epitete janë bërë sinonim për emrin e Nexhmije Pagarushës dhe mbase të gjithë kanë të drejtë sepse të gjithë gjejnë diçka të veçantë në zërin e saj magjik. Nuk pretendojmë t’i themi të gjitha në një intervistë, me hapësirë të kufizuar, kur bëhet fjalë për një kolos siç është Nexhmija. Rëndësia dhe vlera e veprës së Nexhmijes është çmuar e vlerësuar nga kompetentët dhe njohësit e artit dhe kjo siç e dimë është bërë në superlativ.
Nexhmija dhe kënga ishin një, këtu mbase e ka shpjegimin fakti se ajo as që ka mbajtur ndonjë evidencë për koncertet as për këngët e kënduara.
Opusi i këngëve të Nexhmijes ishte shumë i gjerë dhe ajo ka shkëlqyer në të gjitha zhanret. Shumë artdashës edhe sot e kujtojnë një koncert të Nexhmijes me ariet operistike të Bethovenit, të Puçinit, Verdit …të përkthyera shqip. Është për të ardhur keq që ky koncert nuk është regjistruar. Majat më të larta Nexhmija i arriti me “Bareshën”, kështu mendojmë ne, ndërsa ajo mendon ndryshe.
Nexhmija me sukses e provoi veten edhe si aktore filmi e teatri. ”Dasma e përgjakur”; “Tre vetë kapërcejnë malin” ; ”E kafshoja terrin” ; ”Lepuri me pesë këmbë” ; ”Fluturimi i Micakut” ; ”Daullet e të çmendurve”, ”Rexha i nënës në grazhd të kalit” etj., etj., janë disa nga projektet ku interpretoi rolet kryesore.
Në jetën artistike Nexhmija mori shumë çmime të cilat ajo nuk mund t’i veçojë. Ne po e veçojmë çmimin – titullin “Këngëtare e Shekullit “ e këtë e meriton padyshim. Nexhmije Pagarusha vulosi me emrin e saj shekullin e XX-të.
 

Blue Sky : znj. Pagarusha, kur filluat ju të këndoni ishte shumë e vështirë të ishe femër e aq më e vështirë të ishe femër artiste. Çka do të kujtoni nga ai fillim?

Nexhmije Pagarusha : Eh Florë, ka qenë vërtet shumë, shumë vështirë. Tash po e shoh sa më vështirë ka qenë atëherë se sa tash. Mirëpo unë kam pasur një grusht njerëz të cilët më kanë ndihmuar shumë, më kanë inkurajuar, p.sh., Skender Gjinali, i cili ka qenë shef i grupit të produksionit, mandej i ndjeri Ismet Mula –drejtor, pastaj Lorenc Antoni etj., të cilët me dashurinë e tyre për artin me të vërtetë na kanë ndihmuar shumë. Na kanë shtyrë përpara. Çfarë bënë ata ? Mblodhën të gjithë ata që kanë kryer Akademinë e Muzikës në Beograd dhe i sollën këtu. Kështu unë dua që të shfrytëzoj këtë rast dhe t’i falënderoj publikisht sepse kanë bërë shumë për ne.

Blue Sky : Domethënë këta janë njerëzit të cilëve ua kushtoni suksesin?

Nexhmije Pagarusha : Po pikërisht kështu ! Ata janë më meritorët që unë, dhe jo vetëm unë, po gjithë ata këngëtarë e këngëtare kanë bërë emër.

Blue Sky : Kur ndodhi ai moment i paraqitjes suaj të parë serioze para publikut, kur edhe të tjerët e kuptuan se jeni vërtet këngëtare ?

Nexhmije Pagarusha : Eh Florë, është periudhë shumë e gjatë dhe jo se është e gjatë por unë kurrë nuk kam mbajt evidencë, as në kokë as në shpirt as në letër. Kjo jeta e karrierës sime ka qenë sikur ta hedhësh në det një fëmijë i cili nuk di të notojë, nuk fundoset por, mëson aty për aty të notojë. Vërtet nuk di ! Koncerte atëherë nuk ka pasur, ka pasur një audicion. Ka qenë diku në vitin 1948, kur jam pranuar si këngëtare. Kishim një lentë, se ajo radio asokohe ka pasur vetëm një zyrë, një studio të vogël prej së cilës shkonte programi drejtpërdrejtë. Duhej të zgjoheshim në orën pesë të mëngjesit dhe shkonim e të këndonim drejtpërdrejtë ! Dhe për çudi zëri shkonte, posi ! Duhej kocentrim i madh. Koncertet kanë ardhur më vonë, shumë më vonë, kur shkova në shkollë të muzikës në Beograd, se këtu nuk kishte. Atje edhe e kam pasur paraqitjen e parë para publikut. Mirëpo e lash shkollën e muzikës në vitin e tretë. Nuk mundesha, u humba. Mënyra e punës për solo kanto mua nuk më pëlqente, më pengonte. Nuk di pse po unë fillova ta humb zërin. Thjesht nuk dija të këndoja !

Blue Sky : Po si e kultivuat zërin dhe talentin më pas ?

Nexhmije Pagarusha : Natyra kur të fal diçka, të fal ! Ose të fal diçka të mrekullueshme ose të shëmton. Unë nuk e di se si natyra më ka falë këtë zërin tim të impostuar, si duhet që unë kurrë nuk ia kam ditë vlerën. Kam kënduar 40 vjet e nuk e kam ditë si po këndoj. Tash po e shoh se pasurkam kënduar mirë !

Blue Sky : Ne konsiderojmë se ”Baresha” është kryevepra e interpretimit tuaj ! A pajtoheni ju me këtë ?

Nexhmije Pagarusha : Unë pajtohem me konstatimin se kjo është kryevepër e kompozitorit Rexho Mulliqit dhe poetit Rifat Kukaj !




Blue Sky : Për ju janë dhënë vlerësime në superlativ! Ka qenë e vështirë të arrini këtë famë?

Nexhmije Pagarusha : Në vend që unë të përgjigjem në këtë pyetje do ta kisha cituar një thënie të Dantes : ”Rruga që shpie drejt famës asnjëherë nuk është e mbushur me lule”.

Blue Sky : Çfarë mund të thoni për udhëtimet tuaja në Shqipëri dhe bashkëpunimin mes artistëve shqiptarë ?

Nexhmije Pagarusha : Ai ka qenë një udhëtim i imi, dhe jo vetëm i imi, po edhe i atyre kolegëve të mi, i pritur shumë kohë, i pritur me vjet. Ëndrra e të gjithë neve ka qenë të shkojmë në shtetin amë. Në karrierën time i veçoj ato turne sepse kam takuar ata që i dua shumë dhe ëndrra ime ka qenë kjo. Kam pasur emocione të mëdha ! Dhe kur i kam dëgjuar kolegët e mi këngëtarë në Shqipëri, mua më është dukur vetja sa të zitë e thoit. Këtë sinqerisht po e them, dhe, edhe sot e ndiej veten të tillë.

Blue Sky : Keni qenë ambasadore e vërtetë e këngës shqipe nëpër botë. Çka do të veçonit si diçka më karakteristike nga ato udhëtime dhe cila është fuqia e prezantimit para të tjerëve përmes muzikës ?

Nexhmije Pagarusha : Po Florë, kam udhëtuar shumë dhe kam folur me gjuhën e popullit tim ! Kudo ku shkova, me këtë gjuhë fola dhe të gjithë më kuptuan. Kënga popullore shqipe është vërtet e bukur. Populli ynë ka një kulturë të lashtë. Ata kompozitorë që nuk dihen me emër kanë krijuar dhe i kanë dhënë shpirt këngës. Është e veçantë kënga popullore dhe është klasikë që se ka kush dhe të cilën na e lakmojnë shumë. Besoj shumë që këngën popullore kushdo që do ta kish kënduar ashtu edhe do të tingëllonte, plot shpirt.





Blue Sky : Nuk mundem pa përmendur një mendim të Zhyliet Grekos e cila thotë : “Nexhmijen nuk mund ta krahasoj me askënd se do ta fyeja” – si e komentoni këtë?

Nexhmije Pagarusha : Kjo varet njeriu çka ndien në atë moment. Ajo ashtu ka menduar dhe ashtu ka thënë ! Po unë nuk jam e vetmja që vlej apo kam vyer diçka!

Blue Sky : Një shembull tjetër i gjuhës universale të muzikës : kënga e njohur hebreje “Hava Nagila”e kënduar në origjinal edhe në Izrael ka mahnitur dëgjuesit !

Nexhmije Pagarusha : Kur e kam futë këtë këngë në repertorin tim, të gjithëve iu ka dukë çudi e madhe, mirëpo kjo këngë u popullarizua shumë. Kam pasur një turne në Izrael me këtë këngë. Më kujtohet sot kur në Bullgari në një koncert, përveç këngëve tona popullore këndova edhe këngën hebreje “Hava Nagila”. Atë natë aty ishte edhe një avokat nga Tel Avivi i cili mbeti i mahnitur dhe menjëherë u nënshkrua kontrata për tërë grupin që të shkojmë në Izrael.

Blue Sky : Sa këngë keni kënduar, e dini ? Ku gjenden ato sot, a i keni ?

Nexhmije Pagarusha : Nuk e di sa këngë kam incizuar se nuk kam mbajt evidencë. Nuk kam menduar se do të më nevojitet kjo evidencë. Kam mjaft këngë të incizuara për shpirtin tim. Falënderoj Radio Kosovën që më ka mundësuar ta dëgjoj veten se si po këndoj. Nuk janë të gjitha aty, ka edhe të tjera materiale që shpresoj t’i nxjerrim të gjitha dhe t’i digjitalizojmë.

Blue Sky : Ju e keni ndërprerë herët karrierën, të paktën gjenerata ime mendon kështu, kjo mbase nga dashuria e madhe që kishim për muzikën!

Nexhmije Pagarusha : Po është e vërtetë. Ka ndikuar në këtë jeta private hallet,vitet e punës …Sidoqoftë jam e lumtur që e kam ndërprerë pikërisht atëherë se nuk bën..., kur nuk shkon duhet ta lësh ! Kur nuk shkon nuk shkon! Unë nuk vuaj për këtë, vetëm më ka ngelë peng që nuk kam bërë një koncert përmbyllës. Këtë ma kanë kërkuar deri edhe fëmijët se lëre më të rriturit. Për hatër të tyre mbase edhe do të kisha provuar të bëj diçka.






Blue Sky : Dhe papritmas ndodhi disi mrekullia dhe ju shfaqeni para publikut shqiptar në Tiranë bashkë me një artist tjetër gjithashtu të madh, Ardit Gjebrenë. Si ndodhi kjo ?

Nexhmije Pagarusha : Po ju e dini, Ardit Gjebrea di të bëjë veç mrekullira! Ai si duket ka pasur një shkop magjik i cili i ka ndihmuar të më bind. Ju thash edhe më lart se unë kam shumë emocione kur shkoj në Tiranë. Jo se s’kam dashur të shkoj mirëpo të paraqitem në skenë ka qenë një absurditet. Ai më tha se do të jem kryetare e jurisë dhe unë mendova se duhet të paraqitem në skenë për të ndarë ndonjë çmim. Mirëpo nuk ishte ashtu ! Ai më bëri një befasi të cilën as që kam mundë ta marr me mend. Ju e keni parë, kur ai prezanton këngën dhe paraqitjen time, unë shtangem dhe s’dija çfarë po ndodh. Edhe më tutje mendoja se duhet t’i jap dikujt ndonjë çmim mirëpo kur dëgjova muzikën atëherë e pashë se s’kam nga t’ia mbaj dhe vërtet as sot nuk e di se si kam qëndruar në këmbë.

Jam shumë e lumtur që e kam njohur Ardit Gjebrenë. Ai është jo vetëm një këngëtar i mrekullueshëm po dhe një njeri i mrekullueshëm, një intelektual me plot kuptimin e fjalës një punëtor i madh …Gjatë atyre ditëve të qëndrimit tim atje unë jam mahnitur me durimin e tij, me shkathtësitë e tij me mënyrën e punës, me respektin dhe dashurinë që tregonte për të gjithë. Tri katër ditë sa qëndrova aty si s’e dëgjova një herë të ngritë zërin. Ai është një shembull se si duhet të punohet dhe të arrish rezultate !

Blue Sky : Edhe një paraqitje tjetër befasuese para një viti !

Nexhmije Pagarusha : Po, ishte kjo paraqitja ime pas 20 vjetësh, kjo me rastin e Maratonës Humanitare për Fëmijë. Pas 20 vjetësh përjetova një befasi ! Hyra në studion e kolegut tim Ilir Shaqiri, i cili kishte bërë këtë këngë. Më pëlqeu shumë teksti i Afërdita Kelmendit dhe fillova ta këndoj, me dyshim se mund ta këndoj. Më pëlqeu shumë dhe për befasinë time dhe të publikut e pranova dhe e këndova ! Natyrisht jo me atë zërin që është mësuar publiku të më dëgjojë por besoj që ju ka pëlqyer.

Blue Sky : Do të vazhdoni të këndoni ?

Nexhmije Pagarusha : Nuk e di! Nuk ka kush të kompozojë. Edhe unë nuk jam shumë e interesuar kështu që duhet dikush të më shtyjë, të bëj diçka si në rastin me Ilirin.

Blue Sky : Më intereson mendimi juaj për muzikën që krijohet sot. Si e shihni ju atë nga një kënd i qetë e tërhequr nga skena ?

Nexhmije Pagarusha : Si e shoh ? Në vend të përgjigjes po citoj Frojdin: ”Çdo e ngritur kulturore është një barrikadë kundër agresorit dhe luftës”. Pra vlerat mbesin ! Tash kemi TV, kemi radiot të cilat duhet të kenë shumë kujdes në zgjedhjen e muzikës. Kush dëshiron të dëfrehet ajo dihet, në ndonjë aheng, dasmë, në ato raste edhe unë e dua atë muzikë, mirëpo unë besoj shumë që kënga e mirëfilltë do ta gjejë rrugën e vet, se çdo vrull kthehet në lumin e vet.






Blue Sky : Shumë këngëtarë duke folur për ju thonë se keni qenë shkollë për ta, pra pikë reference. Çfarë i këshilloni ata kur kërkojnë mendimin tuaj ?

Nexhmije Pagarusha : Kurrë askush nuk e ka kërkuar mendimin tim ! Mbase, mendojnë se i dinë të gjitha ose kanë ngurruar duke menduar se nuk do t’i këshilloj! Ndoshta edhe kanë bërë mirë. Secili duhet ta gjejë veten në interpretimin e vet.

Blue Sky : Ata të cilët kanë ngurruar të ju pyesin, çka do t’iu thoshe sot?

Nexhmije Pagarusha : Le të këndojnë me shpirt. Le ta donë këngën e mirëfilltë popullore se kurrë nuk do të dështojnë dhe le të jenë vetja e tyre !

Blue Sky : Ju keni interpretuar në të gjitha zhanret. Po përmend këtu një koncert të muzikës klasike në të cilin ju keni interpretuar veprat e Bethovenit, Puçinit, Verdit …të përkthyera shqip. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji dhe i cili edhe sot mbahet në mend nga artdashësit! Çka kujtoni sot nga ai koncert ?

Nexhmije Pagarusha : Çka do të thosha ? Një punë e madhe më se 5 mujore më ka shkuar kot ! E mbaj mend atë koncert se ka qenë salla e teatrit plot si asnjëherë tjetër. Ka qenë një elitë dmth., edhe atëherë ka pasur publikë për muzikë të mirëfilltë, për muzikë klasike. Por fatkeqësisht ai ka qenë i vetmi koncert atëherë dhe çka është për mua tragjike është se nuk është kujtuar askush ta regjistroj atë koncert dhe për këtë më vjen shumë keq. Do të më pëlqente që sot ta dëgjoja veten duke interpretuar këta klasikë. Çfarë të them! Ka pasur një moskujdes, ndoshta me qëllim ose mbase kanë menduar se nuk do largohem kurrë nga skena ose se nuk ka me ardhur ajo ditë kur unë nuk do të mund të këndoj.





Blue Sky : Jeni shpallur këngëtare e shekullit XX pra, e shekullit të kaluar. Keni marrë edhe shumë çmime të tjera. A do të veçonit ndonjërin prej tyre ?

Nexhmije Pagarusha : Pa, çdo shpërblim ka qenë një moment i rëndësishëm për punën që kam bërë. Jam gëzuar shumë, besa edhe jam befasuar. Ato kanë qenë të mirëseardhura se për ato 40 vjet punë gjithnjë kam dyshuar se po këndoj mirë ! Publiku më ka vlerësuar, kritikët, gazetarët. Kjo vërtet është një mrekulli që kam përjetuar, gjithë këto mirënjohje dhe çmime të tjera të ndryshme!

Blue Sky : Patët probleme shëndetësorë kohën e fundit !

Nexhmije Pagarusha : Tash ndihem shumë mirë. Kam qenë shumë e lumtur kur atë ditë u ktheva në aeroportin e Prishtinës se nuk kam menduar se do të mund të kthehem. Dua ta falënderoj vëllain tim që e kam këtu afër i cili ka bërë të pamundurën të më ndihmojë që të shkoj te djali im në Zvicër. Duheshin shumë mjete kështu që për këtë mendoi vëllai im i vogël dhe nusja e tij të cilët jetojnë në Belgjikë. Qëndrova atje tre muaj dhe ja u ktheva prapë këtu ku më duan të gjithë.

Blue Sky : Kohën e fundit të kemi parë shumë aktive në përkrahjen e fëmijëve me probleme shëndetësore ?

Nexhmije Pagarusha : Përkrahje kanë nga unë vetëm morale, ndihmë materiale, çka do dëshiroja unë, nuk kam t’iu jap dhe për këtë më vjen shumë keq, por mendoj vazhdimisht për ta dhe do t’iu jem pranë sa herë të jetë nevoja.

Blue Sky : Gjithashtu ju kryesuat festivalin e sivjetshëm të këngës Magjike ! Jeni e kënaqur me këngët e prezantuara ?

Nexhmije Pagarusha : Po jam e kënaqur dhe nuk jam e vetmja që mendoj kështu. Ka qenë festival në nivel artistik edhe këngëtarët edhe këngët bile e kemi pasur shumë të vështirë t’i zgjedhim. Por jam e sigurt se ato këngë që janë interpretuar aty do të jetojnë. Gjithashtu jam shumë e kënaqur që edhe juria edhe publiku kanë qenë të një mendimi.

Blue Sky : Aktualisht jeni këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosovë dhe në Blue Sky. Sa jeni e kënaqur me muzikën në këto dy radio dhe a kërkohet mendimi juaj për të ?

Nexhmije Pagarusha : Falënderoj shumë drejtorin gjeneral z. Agim Zatriqi i cili më ftoi dhe më ofroi këtë detyre. Fillimisht nuk e pranova duke menduar se nuk do të mund të jap kontributin ashtu siç ka qenë dikur, kur kam punuar këtu. Pasur tre muajsh pranova dhe ja ku jam! Më vjen shumë mirë që këtu më pranuan të gjithë shumë mirë. Unë do mundohem të jap kontributin tim për aq sa di dhe sa mundem, megjithëse këtu duhet një ekip i tërë për të heqë shundin. Mendoj se është shumë i mirë programi i Radio Kosovës. Aty këtu ka edhe këngë që nuk duhet të transmetohen në këtë institucion. Dua të them edhe këtë se kënga popullore është shprehje e vlerave e traditës kombëtare. Ajo e ka burimin në vet popullin dhe është e lidhur ngushtë me historinë e këtij populli. Populli çdo gjë e ka shprehë me anë të këngës, mu për këtë vlera e këngës është shumë e madhe për identitetin e një kombi. Duhet t’iu jemi mirënjohës gjeneratave të kaluara që na lanë këtë pasuri të cilën gjenerata jonë dhe ato që do vijnë duhet t’i ruajnë këto vlera, t’i kultivojnë dhe t’i përsosin edhe më tutje. Kjo është porosia ime : vlerat të mbesin vlera por edhe t’i kultivojmë e jo të ikim nga ato vlera. Pse të hyjmë në lëkurën e tjetërkujt, për çka nuk ka nevojë. Ne kemi një pasuri të madhe të folklorit tonë. Përveç si këshilltare që jam emëruar, unë shpesh vij këtu në diskotekë ku e ndiej veten shumë të lumtur mes këtyre shiritave në të cilët është puna 50 vjeçare, kontributi i kompozitorëve dhe këngëtarëve. Jam e interesuar që me ndihmën e kolegëve të bëjmë diçka, t’i ruajmë ato vlera dhe me ndihmën e Baki Jasharit që është një ekspert i shkëlqyer, t’i digjitalizojmë. Jam shumë e lumtur që jam përsëri në këtë diskotekë ku kam filluar si e re dhe ku shpresoj të përfundoj.

[


Blue Sky : Zakonisht, personalitetet e shquara kujtimet e tyre i nxjerrin në letër, kjo nuk është e shprehur te artistët tanë, pse ?

Nexhmije Pagarusha : Jo nuk kam fuqi. Kohën e fundit kam lexuar një libër të një artisteje dhe regjisoreje nga Shqipëria i cili jetëshkrim më ka befasuar. Askush nuk do të mund ta shkruante si ajo.

Blue Sky : Ju nuk dëshironi ta ritregoni jetën tuaj artistike, iu është mërzitë ajo ?

Nexhmije Pagarusha : Jo nuk është se nuk dua, por unë nuk kam fuqi të kthehem mbrapa, ka qenë jetë shumë e vështirë.

Blue Sky : Në fund fare

Nexhmije Pagarusha : I dëshiroj popullit tim një ecje më të shpejtë përpara. Të mundohemi të gjithë bashkë t’i shërojmë plagët. Vuajtjet dhe përjetimet e tmerrshme nuk harrohen, por jeta vazhdon. Të gjithë të japim aq sa mundemi, të mos presim vetëm nga të tjerët, se vetëm me angazhim të madh mund të ndërtojmë një shtet çfarë u ka hije shqiptarëve dhe të jetojmë të lumtur !

Blue Sky : Zonja Pagarusha, ju falënderoj shumë për intervistën!

Nexhmije Pagarusha : Flora të falënderoj unë ty shumë për gjithë këtë që po bën për artin dhe kulturën !





Thanë për Nexhmije Pagarushën :



(Fragment nga proza poetike e Esad Mekulit)

Bilbili i këngës sonë

…Kosovën, të cilën duhet ta dish e ta ndjesh me tërë qenien…
Pse ai që njëherë e njeh, do të mbetet në zemër përherë, edhe natyrën e saj, edhe njerëzit e saj, edhe vallet, këngët e saj që mahnisin gjithkënd që i sheh edhe i dëgjon. Në këtë bukuri, në atë vrer edhe në këtë gazmend lindi dhe u rrit këngëtarja … Ajo që këndoi me gjuhën e shpirtit e të gjithë neve për fushat pjellore dhe malet tona flladitëse, pikëllimin e thellë për kurbetçinj që s’kthehen më, për dashurinë që askund si këtu, në këngën e saj, të çon peshë, të lartëson…
Sepse Nexhmija është kjo, moti thuhet : Bilbili i Kosovës, bilbili i këngës sonë.

/ Esat Mekulli/



Prof.dr.Rexhep Munishi - etnomuzikolog

Nexhmije Pagarusha për së gjalli po i përjeton dy jetesa : atë derisa ishte në skenën e këngës dhe muzikës dhe atë pasur ndërprerjes së këndimit aktiv. Ajo i përjetoi dy kënaqësi që janë privilegj i ruajtur vetëm për njerëzit e mëdhenj. Sa këndonte e adhuruan ! Kur pushoi së kënduari nuk e harruan ! Për dhjetë vitet e fundit ata që e çmuan ia kthyen publikut që gjeneratat që erdhën pasur jetës muzikore aktive të saj ta njohin më mirë një këngëtare që vështirë do të jetë të përsëritet në skenat shqiptare. Ajo duhet të jetë e gëzuar për këtë. E besojmë se vështirë do ta ketë dikush ta imitojë. Vështirë të përsëritet një cilësi zëri e dhunti muzikore që pati ajo. Edhe pse fjalët e fjalitë për te, mund të sillen në rreth e rrethi nuk shkëputet, fjalët gjenden sepse si duket për të do të ketë gjithmonë shumëçka të thuhet. Për një gjysmë shekulli ishin të kënaqur të gjithë ata që e njohën, të gjithë ata që e dëgjuan, ata që patën miqësi me të dhe të lumtur janë ata që i takuan kohës së saj, kohës së shënuar me zërin e Nexhmije Pagarushës.

Kristë Lekaj-kompozitor

Nexhmijen e njoh më se gjysmë shekulli. Kam pasur fatin të punoj me të më se 40 vjet. E kemi quajt “Bilbili i Kosovës”, por ajo në të vërtetë ishte Kosova vet ! I falënderohem zotit që kam punuar me te, se prej saj kam mësuar shumë. Nexhmija është Nexhmije ! Është këngëtare që lind një herë.


Avni Mula-kompozitor

E kam njohur Nexhmije Pagarushën që herët kur erdhi për herë të parë në Shqipëri. Përpara se të vinte në Shqipëri unë kisha një rekomandim nga Zehra Mula, shoqja e saj që punonin bashkë dhe më thotë : është një zonjushë me emrin Nexhmije Pagarusha e cila këndon shumë mirë dhe ka dëshirë që ta dëgjoni. Unë për kuriozitetin tim, pata fatin e madh dhe ajo erdhi në Shqipëri, ishte diku muaji maj. E prezantova para artistëve shqiptarë. Kur ata e dëgjuan këngën elbasanase “Të kam dashtë dhe të dua moj ije”dhe “O moj bukuroshe”, shpejt e shpejt krijuan një koncert apostafat për te, brendapërbrenda koncertit. Ai koncert la mbresë të jashtëzakonshme. La mbresë të jashtëzakonshme, jo vetëm pse këndoi mirë, po iu tregoi edhe atyre artistëve tanë shqiptarë, të Tiranës, të Shkodrës dhe të gjithë qyteteve të tjera të Shqipërisë, iu dha një mësim se si duhet të këndohet kënga popullore, si duhet të interpretohet kënga popullore, çfarë koloriti duhet të ketë kënga popullore. Unë ato ditë që e dëgjova mbeta i mahnitur dhe u dashurova me të kënduarin e saj, në interpretimin e saj dhe me zërin e saj të mrekullueshëm i cili ishte jo vetëm një zë i rastit po ishte këngëtare e cila e kishte mbaru atë shkollë dhe kishte ruajt traditën kryesore. Ne jemi borxhli ndaj saj, këto fjalët e mia janë fukarallëk, është e vështirë të gjenden fjalë për të. Ajo mbetet një ndër këngëtaret më të mira më të shkëlqyeshme të mbarë Shqipërisë jo vetëm të Kosovës.

Ardit Gjebrea-kantautor

Kam hequr shumë, jam munduar shumë për ta bindur për të ardhur në Shqipëri për të kënduar pas një kohe shumë të gjatë, për të ardhur edhe si presidente jurie e Festivalit “Kënga Magjike” dhe më në fund u lumturova kur ajo pranoi dhe është një ndër kujtimet më të bukura të jetës time dueti që kam kënduar me Nexhmijen. Po të mos jesh njeri i madh nuk mund të jesh artiste e madhe. Ka shumë artistë nëpër botë, por ka shumë pak artistë nëpër botë. Them se janë pak ata artistë që janë vërtet artistë dhe që e meritojnë këtë fjalë. Nuk është thjesht artiste e skenës, është artiste njeri, është artiste në shpirt. Në të gjitha kontaktet që kam pasur me të kam gjetur artisten me klasë, artisten me elegancë, kam gjetur artisten fëmijë, kam gjetur artisten e përkëdhelur, lozonjare. Kam gjetur një njeri vërtet kompleks të cilën unë tashmë e adhuroj. Të gjithë ne shqiptarët duhet të jemi të lumtur që ekziston fenomeni Nexhmije Pagarusha.

Naim Krasniqi-kantautor

Kur bëhet fjalë për Nexhmije Pagarushën është shumë vështirë të gjenden fjalë dhe të themi atë që duam të themi. Posaçërisht kur sot fjalët kanë filluar ta humbin kuptimin e vet, me që shumë artistë shumë këngëtarë ,shumë prezantues prezantojnë vetveten dhe kolegët e tyre me fjalë shumë të mëdha pompoze siç janë : I madhi ky dhe e madhja ajo, i madhërishmi ky. Fjalët kuptim të njëmendët kanë vetëm atëherë kur flasim për Nexhmije Pagarushën. Ishte dhe do të mbetet bilbili i këngës shqipe. Një bilbil që zoti ia dhuroi zërin më të bukur dhe një shpirt aq të madh artistik. Unë për veten time kur kam dëgjuar këngët e Nexhmijës, kam qenë fare i vogël dhe jam rritur me këngën e saj. Tani kur merrem me muzikë në mënyrë profesionale, kur kam mundësi që të analizoj punën dhe veprën e Nexhmijës, mrekullohem me aftësitë e saja interpretuese, me shpirtin e saj artistik. Kam pasur kënaqësinë dhe nderin para 15 vjetësh të kompozoj një këngë. Ishte kjo një dhuratë e vogël të cilën unë kam mundë t’ia dhuroj Nexhmijes. Ka qenë kjo kënga “Nexhi” e kompozuar me tekst të Hivzi Krasniqit. Do të kalojnë edhe shumë vite e dekada që të lindë përsëri një këngëtare e kalibrit të Nexhmijes. Këngëtarët e kanë idol Nexhmijen dhe kënaqësia më e madhe për ta është kur dikush u thotë se po kënduake si Nexhmija. Kurse për ata që i japin vetes detyrë që të shkojnë rrugës së Nexhmijes do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë nivelin e saj. Kur dëgjojmë të provojë ta imitojë dikush Nexhmijen, dëgjojmë të thonë : Kjo këngëtare po mundohet të këndojë si Nexhmija, por nuk thonë se kënduaka si Nexhmija. Kjo, sepse Nexhmija është e pazëvendësueshme.

Ilir Shaqiri-kantautor

E kam thënë edhe disa herë përpara se Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Hysni Zela etj. kanë qenë shkollë e pashmangshme për këngëtarët e gjeneratës time. Është kënaqësi për mua dhe gjeneratat që vijnë që kanë pasur një udhërrëfyes, një zë të mrekullueshëm prej të cilit në çdo kohë dhe në çdo moment njeriu mund të mësojë gjithçka në rrugën artistike që do ta ndjekë më pasur. Unë kam mësuar shumë nga Nexhmije Pagarusha dhe kam çka të mësoj akoma.


Sanije Matoshi-soprano

Kosova ka mbretëreshën e saj të këngës shqipe, e ajo është artistja dhe zonja e madhe Nexhmije Pagarusha e cila këtë e ka mbërri me zërin e saj të jashtëzakonshëm shumë të ngrohtë, të ndjeshëm dhe që ka bërë zemrat të dridhen kur është dëgjuar zëri i saj. Ajo ka ditur si t’i qaset publikut.

Ymer Shkreli

Nexhmije Pagarusha është institucioni ynë i lartë muzikor, akademia jonë e vetme muzikore, opera jonë e vetme e themeluar para 27 vjetësh, muzeu ynë i vetëm etnografik, monumenti ynë i vetëm folklorik-e megjithatë nuk ishte dhe nuk është nën mbrojtjen e shoqërisë si disa kisha e xhamia.
Na, tek e fundit, në mungesë të tempullit të kulturës, e kemi Nexhmijen, në mungesë të filharmonisë kemi Nexhmijen, në mungesë të galerisë e kemi Nexhmijen, në mungesë të…e kemi Nexhmijen. Por, shpesh, edhe në mungesë të Nexhmijes kemi dëshiruar ta kemi Nexhmijen. E, nuk bën! Nexhmija është një! Kjo, që prej ditës së sotme, do të vendoset në “Olimp”, kështu që juve do të ju ngelë vetëm zëri i saj nga disqet e gramafonit dhe shiritat e manjetofonit.

Prishtinë, 1985

Lutfi Turkeshi

Është e vështirë të gjesh ndonjë njeri që mos të ketë dëgjuar emrin e Nexhmije Pagarushës dhe të mos ushqejë dashuri për të. Nexhmija është nga ato këngëtare që komponentin kohë asnjëherë nuk e shikoi si element bazë të krijimit, ajo përmes metaforës “arrestoi kohën”dhe përmes dritës artistike ndriçoi brendshëm visarin e pashtershëm tradicional. Në mënyrë spontane Nexhmija bën përpjekje “orfeane” për të mishëruar këngën e vet me traditën gjithë-shqiptare. Ajo gjithmonë do të mbetet artiste e madhe e pajisur me një kulturë të gjerë dhe vokal për t’u admiruar. Çdo interpretim i saj është lirikë me kadencë të qetë, që rrëfen përjetësimin artistik, që rrjedh pa pushuar nga burimi i vet…”.

Besim Sahatçiu-regjisor

Nexhmijen, Bilbilin e Kosovës, e njoh që i ri përmes këngës së saj të bukur. Jam shoqëruar gjatë me të. E angazhova në filmin “Tre vetë kapërcejnë malin”, në një rol episodik, kam qenë shumë i kënaqur me interpretimin e saj. Më vjen keq që nuk kam pasur më shumë role se ajo i ka merituar gjithsesi, ka pasur afinitet edhe për këtë fushë. Më vjen shumë mirë që iu kujtua dikujt të më pyes për të, se unë e kam shoqe, si të gjithë të tjerët që merren me art. Unë kam këtë bindje sepse është person që rrezaton mirësi, ngrohtësi të pa shpjegueshme, ndriçon një dritë që tërheq të gjithë rreth vetes, me një shpirt të pasur që krijon një atmosferë dhe sens të pabesueshëm të dashurisë, mirësisë me paraqitjen e saj në ekran ose mediat tjera e aq më tepër kur je drejtpërdrejtë me të dhe shkëmben shoqërinë me të. Jam i lumtur që kam pasur fatin të shoqërohem dhe të punoj me të.



Shumë këngëtarë të dëshmuar, tashmë , thonë se Nexhmija ka qenë shkollë për ta, pra pikë reference. Për Nexhmijen respektin dhe mirënjohjen e kanë shprehur secili në mënyrën e vet p.sh., Ilir Shaqiri, Naim Krasniqi, Shkurte Fejza… me këngë.

Ndërsa në vazhdim një artikulim i veçantë i këtij respekti kur ballë për ballë vihen forca magjike e poezisë për fuqinë magjike të këngës.








Offline Beni

  • Administrator
  • Hero Member
  • *****
  • Posts: 1522
  • Karma: +0/-0
    • http://www.peja1.com
Re: Nexhmije Pagarusha
« Reply #1 on: April 23, 2012, 06:33:47 AM »



Fahredin Gunga

Pas Klithmës

(Nexhmije Pagarushës)

Kështu është krijuar bota:

Merre një zemër e hape
E sheh një copë diell e një tingull

E pastaj, le të lind një klithmë
Lere të qetë se ajo jeton vet
Që then dry e sy

Gjeje fundin e botës
Diku në mes klithmës e lutjes

Për çudi
Lindi i pastër si bulëz e dhimbjes
Si psherëtimë e lindjes
Vetëm për fundin e botës.

Kështu u krijua bota.

(Kjo poezi botohet për herë të parë)



Din Mehmeti-poet

KËNGËS I DOLËN FLATRAT

(Nexhmije Pagarushës)

këndoi e këndoi
derisa u shndërrua në këngë

dashuria për jetë
ia mori zërin

këndoi e këndoi
derisa shkundi shkrumbin
e shpirtit të vet
derisa bulëzuan pranverat
në zemrat e njerëzve

këngës i dolën flatrat
ajo tash fluturon
mbi të gjitha fatkeqësitë

vdekja s’ka c’ t’i bëjë...



Adem Istrefi

P A G A R U SH A

Këndona ti, këndona ti
Shpirt i kangës-Pagarusha!

Fiu-fiu fishkëllen era...
Në livadhin e gjelbër s’vallëzojnë lulet
Dhe shkunden gjethet,përtypen vjeshtat
Dhe thërret kanga ma zanin e saj:

“Digju,digju në shpirtin tim...”

e lehtë e si era rrëshqet kanga nëpër bar
dhe lahet bari në vesën e saj
dhe këndon era këngën e saj.

“S’ më lanë lotët djalë me të pa ty...”

tufa-tufa mblidhen cikat
tufa-tufa shpërndahen cikat.

Oj zhang-zhing kërkëllima e zingjirëve
Shkundet udhëve
Oj zhang-zhing zani i tyne lidhet nyje
Dhe digjet kanga në shpirtin e tyne.

(Atje,në qoshe të rrugës,të pështynë Nexhmije.
Atje në qoshe të rrugës,të gjuajtën me gurë.
Dhe re nën mjegull,nën shqelmat e zij. Mjekrra
E një hoxhe të rrinte mbi krye. Dora e tij të
Gjuente me gurë. E syni gjak lagej në shi.
E zani gjak klithte në shi:
Copa –copa do të këndoj.)

Kaq shi pikëllimi s’pat asnji re.
Udhëve me shi u rrit kjo këngë
Si lis në shkamb e gjethegjelbër.

Këndona ti,këndona ti
Shpirt i kangës Pagarusha!

“Digju, digju në shpirtin tim”
krejt u dogja në shpirtin tand.

Shpirt i kangës Pagarusha.


Mirko Gashi

VOX,

VOCIS

Plimi i bilbilave të fishkur
Lulëzon
Sirenat-harpitë
Kupin si kokrra e kripës
Në zjarr
Odiseu
Nga veshët heq dyllin
Me frymë
Bariu mbush fyellin
Enriko Karuzo e Zhyliet Greko
Heqin dorë nga koncertet e veta
Ima Sumak harron
Prejardhjen e vet mbretërore
E shikon
Fluturimin e kondorit
Në bebëzat e mia
Ngjallën
Ibis dhe papa avis
Në pyll
Klyshët e vet i harron arusha
Se ia thotë këngës
Nexhmije Pagarusha


Mevlyde Saraci

NEXHMIE PAGARUSHA

Bukuri
Që flen në shpirt
Mbretëreshë e këngës
Zëri yt i ëmbël
Zë bilbili

Ti je
Fllad’ i pranverës
Dashuri
Zë i rrallë
Në trojet tona

Këndo
Nexhmie
Siç të këndon zemra
Rrënjë lashtësie
Ti histori
E gjallë
Ti
Rreze dielli
Sy shqiponjë
Një jetë e tërë
Me mikrofon
Në dorë

Ti
Këndove
Me dashuri
Për t’i forcuar
Rrënjët
E lashtësisë


Edi Shukriu

BARESHA E THANËS

Nexhmije Pagarushës


1. (Erë e malit djepin përkundte)

Në mjegullirën e lartësive
Kreshtat e Pagarushës ndjenin
Në prehër një lindje mbanin

Erë e malit djepin përkundte
Pranë vatrës foshnja
Ninula vetes i këndonte

E
Në prag të njohjes
Mësuesi me shkronja në zemër
E peshë mbi supe
C’ është dashuria mësonte

Historinë e Pagarushës
Bilbilat e nisën
Këmbëzbathur shpatijeve

Me rritën e gërshetave
Zambakët e Prizrenit u gërshetuan
E kalaja jehonën
E zuri në gji

2.(Trete në ne)

këngë
trete në ne
nga ne vrujon jehonë
si

aromë dheu kosovar
ah flladitës në fushën mall
mbarsur
gurgullimë burimi që mikëlon thellësitë
dhe çon peshë shekujt

ngjitesh Bjeshkëve të Nemuna
me plakun që ruan kohët e kulçedrave

zbret në mriz me nënën
në pshtjellak fsheh ditët e urisë

ti je ajo “ani mori nuse”që
në heshtje i pëshpërit dashurisë
e zgjon mallëngjim në skajet e botës

Nexhat Halimi

Ç’po ndodh me zjarrin

Copëza e përgjakur e ballit ndez qiririn
Po sytë Nexhmijeme vjet verbuar

Njerëzit harruar mallet thinjur e fajkoi lart

Me zjarrin ç’po ndodh vaj me të gjeturat
Gjuhës plagët i përlcasin për fyell
Zogu I lashtë vjen mbi ëndërr

Këputur nga mishi im i mërguar
Hiri fluturone prap lind nga hiri

Sepse ti këndon mbi glob mbi shpatë,
Bashkë me trimat qëllon kafshën e zezë
Vetëtima në gemb shndërrohet
Nga kafka ime dhe vet Pagarusha

Gjeli fluturon mbi portën e vjetër

Unazat lëvizin
Zogjtë e zi në varre të reja dasmat mort
Daullet e pikëllimit

Mitit gjaku I rrjedh për veshë
E flakoi lart dhe njerëzit me male në zemër
Ti këndon në një gur Nexhmije vajton
Në një flamur

Mbi ëndërr zogu i lashtë fluturon

Ankara,11 shtator,1980



Sabri Hamiti

Nexhmije Pagarusha

Jeta nuk është këngë,
A fustan i qëndisur
Mish i gjallë e gjak.

Se kush do një copë bukuri,
Të fsheh huqet e veta…
Edhe qorri, edhe shurdhani.

E gjithkujt po si e kurrkujt:
Madhështitë e drunjta
Pijnë ujë në pusin e ëmbël.

Del në derë me sy të njomë,
Ndihet jehonë e Bareshës,
Raxha nën patkonj të Kalit.

Kënga s’ia çon bishtin kandarit!
Ankthi ngjitet në qiell.
Mish i gjallë e gjak.

(Trungu ilir,Prishtinë,1979)


Qerim Arifi

Plisat faqendritur marshuan

I
Ndalu për një moment. Këtu në këtë mëhallë
Fillon një madhështi. Tingujt rrënqethin barin, në fund
Det
Liqeni drishërin nga puhia e zërit të këngëtares,mbi
Kodra
Blerimi kaplon;mallet dalldisen në magjinë e toneve
Rrafshi i Dukagjinit vallëzoi me grunajet shtatë ditë e
Net
Ku mbaron dashuria fillon dashuria.”Në fillimin tim është fundi im”
Që nga kujtimet për Teutën
Dardanët kënduan,
Përpara portave krushqit hoqën vallen. Fshatrat pritën,
Përcollën pranverën me bilbil në duar-që diti t’ia thotë
Këngës për rrudhat e tyre në ballë. Për shuplaka të lëna
ndër ara.
Dallgë-dallgë valët nga eteri erdhën dhe mbetën në ne
Nga ajo na. Për të filluar diçka duhet të mbarojë.
Nexhmija e ju.
Dhe fshatarët me këngën për punën. Ju këndoni këngën
E tyre
Ata këngët tuaja-Koha mbaron tempuj e ruan tempuj.
Tempujt dhe tingujt tani përjashtojnë
Pamjen e tyre të sfiungosur!
II
“Kohë e tashme dhe kohë e ardhshme,janë ndoshta
prezentë në
kohën e kaluar”…Edhe pse pasur jetës do të mbeten gjurmë
jete. Edhe
pasur pranverës mbetën gjurmët. Kënga jehon
Çdo herë në lugaja…
Bilbili edhe shumë të tjerë këngën ua mësoi
Ata s’e harruan
Të parin e tyre
Anëmbanë, në çdo pore
Jehoi krenaria
Paepur…dëllinjat zgjatën degët e tyre duke
Pritur mirësinë,
Plisat faqendritur marrshuan shesheve, kejeve-
Me vegjëli!
Tëmtarët e fabrikave mësuan këngëtimin
Që në vete mbante magji!
Vaporet në të katër anët shpërndanë vetëm
Muzikë,lumturi…
Baletanet vallëzuan të ngashnjyera
Nëntë vite, pranë
Gurrës me ujë të ftohtë udhëtarët u
Freskuan nëntë herë
Kjo murosi shekujt më parë dhe shekujt
Pasur të palosur-
Liria diku në antikë zbukuroi për një
Orfe të Ri. Andaj përpara Lumit vashat rrijnë dhe janë duke pritur
Gondolat e fateve
Një këngë tënden dhe për ty do ta këndojmë,
Nexhmije.


Sevdije Rexhepi


MBRETËRESHË E KOSOVËS

(Nexhmije Pagarushës)

bashkë me ty
udhëtuam nëpër vite
na freskove zemrat
me këngët e tua mite

ashtu si zbardhin agimet
lindnin meloditë
vargjet merrnin rrugën
puthnin Prishtinën
përqafonin Strugën

me ushtimë tupanësh
dasma fillonte
zëri yt magjik
shpirtërat e fjetur zgjonte

seç ngacmoje
poetin,poeteshën
kur me atë zë të ëmbël
këndoje Bareshën

e madhërishmja jonë
motër e Teutës
mbretëreshë e Kosovës



Sejdi Berisha


NEXHI

Në skenë
Edhe në jetë zë përvëlues
Abetare
Tha njëri nuk di ç’ është kënga
Kërkova bilbilin
Më kaploi kënga deri sa më zuri gjumi
Me ty e Fletën i përqafuar u zgjova
Pranë oxhakut na rrëshket flaka
Rini e plakur
Ra perdja përgjithmonë
A thua Nexhi
Zgjodhe aromën e jetës
(1993)


Melek Raxhepi


Shtojzovallja e Pagarushës

Në gjirin e natyrës virgjëreshë
Enden bilbilat degë më degë
Gjelozojnë zërin kristalor të kanarinës
Mbeten të nemitur në vend
I lumtur bariu për bareshën
Jehun e zërit bjeshkëve kur dëgjon
E shtojzovalla e Pagarushës
Plot ëmbëlsi e dashuri këndon
Artin e këndimit përjetëson
Gëzueshëm shpërthejnë notat e melodisë
Anekënd trojeve shqiptare
Rrëmbejnë zemrat e njerëzisë
U shkrihet shpirti nga zëmjalta
Shpërndahet në fytyrë buzëqeshja
Ankthi e pikëllimi nuk kanë më vend.


Shefkije Bunjaku

Pran pianos

E ulur pran pianos
Si engjëll qëndron
Lehtë lëviz gishtat
Lozë një melodi

Sa dhimbshëm këto nota
Në këtë dhomë tingëllojnë
Është kjo dhimbja jote
Është një elegji
Prishtinë,nëntor,2000

Kjo figurë e përmasave gjigante ka inspiruar edhe shumë poetë të tjerë por në mungesë hapësire nuk mund t’ua ofrojmë.


Nexhmije Pagarusha, me zërin e saj e vulosi shekullin e njëzetë!









 

Radio Dukagjini





Euro 2016


Image and video hosting by TinyPic

Peja1 Per Android

Facebook

Reklamat

Kalendari

Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31